Prokuroria e Xhenovas ka përfshirë në listën e personave të akuzuar për mashtrim sportiv edhe katër ish-futbollistët e ekipit të Xhenoas: Krishito, Milaneto, Daineli dhe Palacio, duke i akuzuar për mashtrim sportiv.
Vendimi është marrë pas provave që ka depozituar Prokuroria e Kremonës, ku janë bërë hetimet kryesore për manipulimet e ndeshjeve në kampionatin italian të futbollit. Mendohet se të katër futbollistët kanë qenë pjesëmarrës në manipulimin e rezultatit të ndeshjes Xhenoa-Sampdoria të 8 majit 2011.
Prokuroria ka bërë të ditur se nuk hidhet poshtë mundësia që listës së lojtarëve t’i shtohen emra të tjerë, pasi mendohet se ndeshja në fjalë është trukuar nga të dy palët. Ajo përfundoi me rezultatin 2-1, falë golit të shënuar nga Boseli në minutën e 97-të të takimit.
Krishito mbeti jashtë përfaqësueses italiane të futbollit për shkak të përfshirjes së tij në hetimet për trukim të ndeshjeve. Mbrojtësi, që aktualisht aktivizohet në Rusi me Zenit Shën Petersburg, e cilësoi veten të pafajshëm dhe për më tepër akuzoi Federatën Italiane se kishte vepruar me ngut duke e lënë atë jashtë përfaqësueses.
Por provat e depozituara nga Prokuroria e Kremonës duken të pakundërshtueshme dhe me sa duket, Krishito do të jetë ndër të akuzuarit kryesorë, pasi mendohet se përveç të tjerave, ai ka qenë i lidhur edhe me përfaqësuesit e tifozëve të cilëve u ka treguar që para takimit për manipulimin. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 July 2012 16:47