Një sprint i jashtëzakonshëm i dhuroi Mark Kavendish suksesin e 22-të në karrierë në Turin e Francës, duke fituar etapën e sotme. 27 vjeçari barazoi Lens Armstrong dhe Andre Darrigad në vendin e katërt të renditjes të të gjitha kohëve dhe tregoi se mbetet një nga sprinterët më të mirë në qarkullim.
Këtë radhë, ai kishte ndihmë edhe nga Bredli Uigins, i cili kryeson renditjen e përgjithshme të këtij edicioni dhe shumë shpejt do të bëhet britaniku i parë që fiton Turin e Francës. Uigins ndihmoi shokun e skuadrës duke e mbajtur në kreun e garës, si dhe për ta nxjerrë atë para të tjerëve në vijën e finishit për sprintin e fundit.
Kavendish arriti të mundte në finish Mat Gos, ndërsa kryesuesi i renditjes me pikë, Peter Sagan, doli në vendin e tretë, duke lënë pas Sançez dhe Roshe.
Kavendish do të ketë mundësinë të shtojë numrin e fitoreve të tij në këtë edicion të Turit të Francës pasi është një tjetër ku ai është favorit, ajo e fundit që përfundon në Shamps Elize, bulevardin e famshëm të Parisit. Duhet theksuar se Kavendish është i pamposhtur në etapën e fundit të Turit të Francës, sa herë që ka marrë pjesë në të. Ai është fitues i asaj etape në vitin 2009, 2010 dhe 2011.
Me formën që po kalon, Kavendish është një nga favoritët kryesorë për të fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike që fillojnë në javën e ardhshme. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 July 2012 16:23