Mesfushori argjentinas, Fernando Gago, është transferuar sot zyrtarisht nga Real Madrid te Valencia, për një shumë të përafërt me 3.5 milionë euro. Futbollisti kërkohej me ngulm nga skuadra spanjolle pasi ai vendosi që të mos qëndronte te Roma, sepse dëshironte një skuadër që luan në Ligën e Kampioneve.
Futbollisti argjentinas u tregua shumë ambicioz, duke deklaruar menjëherë se kishte kërkuar këtë transferim te një skuadër që luante në elitën e futbollit evropian dhe që kishte shanse për të fituar tituj.
Lojtari ishte në huazim te Roma sezonin e kaluar por si ekipi italian, ashtu edhe futbollisti, ranë dakord që të mos vazhdonin bashkëpunimin në këtë sezon, ndërsa ai zgjodhi që të kthehej në Spanjë, ku është ambientuar më mirë.
Të Valenca ka kaluar edhe i riu Kanales, ku ky i fundit u ble për 8 milion euro nga Reali. Por madrilenët gjithsesi kanë rezervuar të drejtën ta riblejnë futbollistin në dy vitet e ardhshme për 12 milionë euro.
Gago ka pësuar një ulje të vogël në pagesën e tij prej 2.3 milionë eurosh që përfitonte në sezon nga kontrata ekzistuese me Realin, ndërsa tani do të paguhet më pak se 2 milionë euro në sezon për katër vitet e ardhshme. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 July 2012 14:46