Havier Maskerano është i sigurt se Lionel Mesi do të fitojë “Topin e Artë” këtë vit, pasi e meriton për atë që ka dhënë gjatë të gjithë sezonit, duke thyer çdo rekord të mundshëm golash me fanellën e Barcelonës.
“Për mua, ashtu si gjithë të tjerët, kanë rëndësi titujt kampion. Por këtu jemi para një personi që ka shënuar më shumë se 80 gola në një sezon. Kjo shifër është një çmenduri! Por është e vërtetë! Nëse do të votoja unë, do ia jepja votën Mesit, e pastaj Ksavit dhe Iniestës”, u shpreh argjentinas për bashkëkombësin e tij.
Më pas, ai ka folur për rinovimin e tij me skuadrën katalanase, ku mendohet se shumë shpejt do të hedhë firmën në kontratën e re që e lidh me klubin deri në vitin 2016.
“I jap shumë vlerë faktit që më ofrojnë rinovimin e kontratës. Asnjëherë nuk kam menduar që të ulja kërkesat e mia ekonomike për të shpresuar në një rinovim, por tani që klubi me ofron zgjatjen e kontratës dhe përmirësimin e kushteve ekonomike, e vlerësoj shumë një iniciativë të tillë. Transferimi im këtu ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë për karrierën time”, tha Maskerano.
Edhe ai, ashtu si gjithë futbollistët e tjerë të katalanasve, kanë një peng që nga sezoni i kaluar. “Nuk e harrojmë eliminimin nga Çelsi në Ligën e Kampioneve, pasi ndaj tyre ishim shumë superiorë. Në kampionat, Reali na mundi dhe nuk kemi çfarë të themi, po në Ligën e Kampioneve meritonim më shumë se sa morëm”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 July 2012 14:21