Diego Armando Maradona ka etiketuar Huan Roman Rikelmen si një “tradhtar” pas vendimit të këtij të fundit për t’u larguar nga Boka Juniors, duke ringjallur një debat të vjetër mes të dyve.
“Nëse një person dëshiron të luftojë kundër Maradonës, për mua nuk ka rëndësi. Por ajo që nuk duhet të bësh është të dalësh si tradhtar para tifozëve të Boka Juniors”, ishin fjalët e legjendës argjentinase në radion “Metro”.
Rikelme, me një të kaluar pa shumë sukses të Barcelona e Vijareal, tronditi tifozët e Boka Juniors muajin e kaluar duke deklaruar se po largohej pasi ndjehej “i zbrazur”, pas humbjes në finalen e Kupës Libertadores përballë Korinthians, ndërsa mendohet se do të udhëtojë drejt Kinës apo ndonjë vendi tjetër në Lindjen e Mesme.
Maradona dhe Rikelme nuk kanë patur asnjëherë një marrëdhënie të mirë, ndonëse të dy janë idhuj te skuadra e Boka Juniors. Gjatë periudhës kur Maradona drejtonte përfaqësuesen argjentinase të futbollit, ai vendosi të mos e grumbullonte mesfushorin për Botërorin 2010, një zgjedhje e cila u kritikua ashpër nga të gjithë ekspertët e futbollit pasi futbollisti po kalonte një periudhë shumë të mirë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 July 2012 08:40