Neimar shpreson që Ganso të vendosë të qëndrojë në radhët e Santos dhe ka treguar me humor se “i lutet të mos e braktisë” shokut të skuadrës.
Dy futbollistët janë me kombëtaren olimpike braziliane që merr pjesë në Londër 2012, por kjo nuk ka shuar zërat për të ardhmen e tyre në klubin respektiv. Neimar duket i sigurt se nuk do të largohet nga klubi aktual para Kupës së Botës 2014, por nuk di të tregojë nëse Ganso do të veprojë në të njëjtën mënyrë.
“Më është dashur të përsërit për tre vite radhazi që do të qëndroj te Santos. Tani të gjithë e dinë që do të qëndroj te kjo skuadër deri në vitin 2014. Pas asaj date, nuk di të them a do të rinovoj apo jo”, tha ai për “Lancenet”.
“Por Ganso nuk më ka thënë akoma nëse ai do të largohet. Nëse do të më duhej të flisja rreth tij si lojtar e jo si shok, do të thosha se çdokush do ta dëshironte një futbollist të tillë në skuadër. Nuk di të them me saktësi se çfarë po ndodh. I kam kërkuar të mos më braktisë dhe të mos largohet shumë nga unë”, tha Neimar.
Neimar pritet t’i bashkohet Barcelonës pas përfundimi të kontratës së tij ekzistuese me Santos, ndërsa për Ganso ka patur interesim të madh nga Milan dhe Porto. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 July 2012 08:01