“Kjo është një ëndërr tjetër që bëhet realitet”. Këto janë fjalët e para të Zlatan Ibrahimoviç si një futbollist i Paris Sent Zhërmen në prezantimin e tij zyrtar para mediave.
Sulmuesi suedez ka dashur të heqë përgjegjësitë mbi vete dhe mbi Milain, duke ia atribuuar këtë transferim dëshirës së PSZH, jo nevojave ekonomike të kuqezinjve.
“Ka qenë një zgjedhje e imja, askush te Milan nuk ka influencuar. Te Milani kam qenë i lumtur dhe u uroj atyre më të mirën. Tani e di që jam në një skuadër ëndrrash dhe do të bëjmë gjithçka për të fituar. Kam lënë pas Italinë pasi e ardhmja është këtu në Francë. Pa dy futbollistë si unë dhe Tiago Silva, kampionati italian do të jetë më i varfër”, tha lojtari suedez
“Sapo mbërrita në Paris e kuptova menjëherë se çfarë më priste, është një projekt shumë interesant dhe dëshiroj të jem pjesë e tij. Di që do të shkruajmë historinë e këtij klubi, pasi jam këtu për të fituar”.
Gjatë konferencës së prezantimit të tij, ka ndërhyrë edhe drejtori i përgjithshëm i klubit parisien, Leonardo, i cili ka saktësuar se vendimtare ka qenë dëshira e këtij klubi dhe jo ajo e Milanit. “Historia është e gjatë, nuk ka zgjatur vetëm katër ditët e fundit dhe nuk ka qenë shitja e bërë nga Milan, ka qenë PSZH që ka blerjen më të madhe të historisë së tij”.
Ndërkohë, presidenti i PSZH, Naser Al Khelaifi, ka lënë pa fjalë gazetarët e pranishëm duke e barazuar me zero historinë e klubit parisien.
“Paris Sent Zhërmen nuk ka patur kurrë një yll dhe tani e ka tha ai”, duke harruar që disa vite më parë fanellën e kësaj skuadre e kanë veshur as më shumë e as më pak por emra futbollistësh që kanë fituar “Topin e Artë” si Ueah apo Ronaldinjo. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 18 July 2012 17:39