Luis Suarez ka vendosur të flas përsëri për çështjen e pezullimi të tij në sezonin e kaluar, ndërsa insiston se është bërë pre e një konspiracioni nga Mançester Junajtid. Në një intervistë për televizionin shtetëror uruguaian “RR Gol”, Suarez zbuloi se kishte marrë urdhër nga skuadra që të mos fliste rreth debatit mbi fyerjet raciste kundër Patris Evra, për të cilat u dënua me 8 ndeshje pezullim në sezonin e kaluar.
Më pas, ai shkaktoi më tepër probleme kur gjatë ndeshjes mes Mançester Junajtid dhe Liverpul, nuk i shtrëngoi dorën francezit në fillimin e takimit.
“Ajo që ndodhi mes meje dhe Evra në “Old Traford” ishte një keqkuptim. Në fakt, mendoj se ka qenë gjithçka e përgatitur kundër meje, ashtu si me dënimin. I premtova gruas time, drejtuesve dhe trajnerit që do t’i shtrëngoja dorën Evra. Nuk kisha asnjë probleme ndaj tij. U dënova prej tij po nuk kisha asnjë problem personal me të”.
“Mediat në Angli treguan momentin kur unë kalova para tij por ata nuk e panë se më përpara ai uli dorën. Vetëm mediat në Uruguai dhe Spanjë treguan pamjet ku shihet qartë se unë dëshiroja t’i shtrëngoja dorën”.
“Njerëzit në klub janë të sigurt se kjo ishte një mënyrë e organizuar nga Mançester Junajtid për të më larguar nga skuadra dhe për të ndalur Liverpulin. Por në Angli, Mançester Junajtid ka këtë forcë politike dhe duhet ta respektosh duke mbyllur gojën”, ishte deklarata e futbollistit uruguaian që pritet të krijojë polemika të tjera. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 18 July 2012 12:30