Kosova nuk do të mund të zhvillojë ndeshje miqësore me përfaqësuesen e saj të futbollit as në muajin shtator, pasi FIFA ka vendosur të “ngrijë” përsëri vendimin e saj për lejimin e miqësoreve ndërkombëtare.
Pavarësisht një takimi “të frytshëm” të drejtuesve të futbollit kosovar pak javë më parë në zyrat e FIFA-s, duket se ata nuk janë informuar me saktësi për situatën. FIFA ka vendosur që të “ngrijë” Kosovën derisa të zgjidhet qeveria e re në Serbi, pasi mendohet që të zhvillohen bisedime edhe me përfaqësues të shtetit serb rreth vendimit të marrë me 22 maj.
Si rrjedhojë, Kosova e sheh veten përsëri të bllokuar nga një strategji e qartë e Serbisë, që falë influencës së saj, arrin të vazhdojë të mbajë të izoluar futbollin kosovar nga pjesa tjetër e botës
Sipas të gjitha gjasave, ky vendim i fundit i FIFA-s është diskutuar që në mbledhjen e pak kohëve më parë me drejtuesit e FFK-së, por këta të fundit kanë vendosur që të mos e bëjnë publik, duke ditur mirë se kjo do të quhej një disfatë për përpjekjet e tyre për njohjen e Kosovës në arenën e futbollit ndërkombëtar.
Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s do të rimblidhet me datë 27-28 shtator të këtij viti dhe do të diskutojë aty çështjen, por mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë, pasi shihet qartë që Kosova është kthyer në një temë të nxehtë edhe për drejtuesit e organizatës që kontrollon futbollin botëror. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 18 July 2012 11:53