Drejtori i përgjithshëm i Paris Sent Zhërmen, Leonardo, si dhe menaxheri i Zlatan Ibrahimovic, Mino Raiola, kanë konfirmuar arritjen e një akordi mes palëve dhe përfundimisht lojtari mund të cilësohet si i transferuar te parisienët.
Për futbollistin është bërë gati një kontratë trevjeçare me 13 milionë euro neto në sezon, ndërsa që sonte do të jetë në Paris për të takuar drejtuesit e klubit të ardhshëm. Nesër do të kryejë të gjitha vizitat mjekësore dhe gjatë pasdites do të prezantohet te skuadra e tij e re.
“Kemi gjetur akordin, çështja u mbyll. Ibrahimoviç është një lojtar i yni”, deklaroi Leonardo pas mbledhjes maratonë të radhës me menaxherin e lojtarit. “Ky është një vit i madh për PSZH, fakti që një futbollist i një niveli të tillë vjen këtu është diçka e jashtëzakonshme. Ai është një futbollist që mund të ndryshojë gjithçka”.
Edhe Mino Raiola është shfaqur i kënaqur që ka arritur më në fund akordin me skuadrën parisiene duke plotësuar të gjitha kërkesat e lojtarit që menaxhon.
“Të gjithë palët janë të kënaqura, ndaj edhe Zlatan është i tillë. Tani Parisi ka diçka më shumë për t’u cilësuar një qytet i mbushur me bukuri”, tha menaxheri italian.
Klubi francez më pas ka lëshuar një njoftim për shtyp, ku ka bërë të ditur se që nga ora 15:00 do të organizojë një konferencë për shtyp ku do të jetë i pranishëm vetë presidenti i PSZH, sheiku Naser Al Khelaifi, i cili dëshiron që të jetë përkrah Ibrahimoviç në momentin e prezantimit të suedezit me fanellën e klubit francez. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 July 2012 21:32