Problemi më i madh i Real Madrid në këtë sezon është të shkarkojë diku Rikardo Kaka, i cili sipas mediave spanjolle është kthyer në person të padëshiruar te kjo skuadër.
Ndonëse Zhoze Murinjo nuk e ka deklaruar publikisht së dëshiron të largojë futbollistin, burime pranë klubit kanë treguar fillimisht për “Marca” e pastaj për “Mundo Deportivo”, se tekniku portugez i ka kërkuar Floretino Perez të gjejë një sistemim sa më parë për brazilianin që nuk bën pjesë në planet e tij.
Për më tepër, madrilenët po përpiqen të rifitojnë diçka nga 65 milionë eurot e shpenzuara për ta blerë lojtarin nga Milan, por situata nuk është aq e favorshme.
Asnjë klub në Evropë nuk dëshiron të shpenzojë të paktën 30 milionë euro për të blerë lojtarin, ndërsa vetë braziliani nuk synon të kalojë në një skuadër të dorës së dytë a të tretë në Lindjen e Mesme apo Azi.
Edhe nëse do të kishte pretendentë për të, pengesa kryesore është paga e lartë prej 9 milionë eurosh në sezon që ka futbollisti. Reali ia ka ofruar atë Milanit, duke i propozuar edhe një ulje në çmimin e shitjes, por kuqezinjtë e kanë hedhur poshtë ofertën e madrilenëve, pasi nuk duan të paguajnë për brazilianin që ka humbur shkëlqimin e disa viteve më parë.
Në ditët në vazhdim, pritet që drejtuesit e skuadrës madrilene të ulen në tavolinën e bisedimeve me Kaka, duke kërkuar një zgjidhje të kësaj situate. Mediat spanjolle bëjnë të qartë se Murinjo nuk e do më lojtarin dhe kjo do t’i bëhet e qartë edhe futbollistit, në mënyrë që ky i fundit të pranojë uljen e rrogës, shitjen, apo edhe huazimin, nëse dëshiron që të shohë më fushën e lojës. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 July 2012 15:01