Robin Van Persi u kthye dje në stërvitje me Arsenalin duke insistuar se dëshiron të largohet nga “Topçinjtë”. Por këtë radhë duket se edhe klubi ka hequr dorë nga kapiteni i tyre dhe po bëhet gati të dëgjojë ofertat që i vijnë, pasi e ka lënë atë jashtë katalogut të veshjeve të skuadrës, duke mos nxjerrë në shitje fanella me emrin e holandezit.
Lojtari që vlerësohet rreth 30 milion paund, kërkon që të zhvillojë bisedime sa më parë me drejtuesit e klubit, në mënyrë që të ketë një ide sa më të qartë për të ardhmen, para se skuadra të nisë të shtunën një turne në Azi.
“Robin u kthye në stërvitje të hënën dhe bëri të qartë se dëshiron të ulet e të diskutojë çështjen e të ardhmes së tij, sido që të jetë, sa më parë që të jetë e mundur. Asnjë datë nuk është caktuar për këtë takim”, tha një zëdhënës i Arsenalit për mediat angleze.
Futbollisti ishte ai që në mesin e sezonit bëri prezantimin e fanellave të reja për katalogun e Arsenalit, por çuditërisht nuk figuron më te ai, pasi “topçinjtë” nuk besojnë se do të jetë pjesë e tyre. Në këtë katalog shiten bluza edhe me emrat e lojtarëve dytësorë apo që nuk kanë patur shumë hapësirë te kjo skuadër, ndaj mungesa e emrit të Van Persit tregon qartë se ai përfundimisht duhet të bëjë gati valixhet.
Për lojtarin ka interesim konkret për momentin nga Mançester Siti, Mançester Junajtid, Juventus dhe Real Madrid. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 17 July 2012 10:01