Falë fitores 1-0 ndaj Greqisë, kombëtarja U-19 e Spanjës është shpallur Kampione Evrope. Skuadrës së drejtuar nga Hulien Lopetegui i ka mjaftuar goli i talentit të Real Madrid, Hese Rodriguez për të marrë titullin e dytë radhazi kontinental të kësaj grupmoshe. Me këtë trofe, iberikët vazhdojnë dominimin absolut në skenën e futbollit botëror, ku tashmë regjistrojnë 7 trofe të fituar në vetëm 4 vite.
Kombëtarja e madhe ka kontribuar me dy tituj Kampion Evrope, në vitin 2008 dhe 2012, duke i shtuar edhe Kupën e Botës ë vitin 2010. Më as, vijnë trofetë e fituar nga kombëtaret e moshave, ku U-21 është shpallur Kampione Evrope në vitin 2011, U-19 ka fituar këtë trofe në vitet 2011 dhe 2012, ndërsa U-17 është shpallur Kampione Evrope në vitin 2008.
Në total, janë fituar 6 nga 11 Kampionatet Evropiane të fundit, numra të frikshëm që tregojnë jo vetëm dominimin spanjoll, por edhe punën e jashtëzakonshme që bën Federata e këtij vendi me grupmoshat për të përgatitur yjet e të ardhmes për kombëtaren e madhe.
Që tani, janë të shumtë emrat që duhen parë me vëmendje te kjo kombëtare U-19, duke filluar nga ai që cilësohet “Mesi i ardhshëm”, talenti i Barcelonës, Deulofeu, për të vazhduar pikërisht me Hese Rodriguez, i cili u shpall golashënuesi më i mirë i turneut me 5 golat e tij. Jo rastësisht, Zhoze Murinjo po mendon që ta afrojë me ekipin e parë, në mënyrë që ky talent të mësojë nga emra si Kristiano Ronaldo, Benzema e Higuain, e pse jo, së shpejti të luajë përkrah tyre. (LajmeShqip.com)
Monday, 16 July 2012 13:20