Liverpuli ka hyrë në garë me Çelsin për të siguruar shërbimet e mesfushorit të Arsenalit dhe përfaqësueses angleze, Teo Uollkot. Lojtari ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me “topçinjtë” dhe mund të ndjekë shembullin e Van Persit duke kërkuar largimin nga ky klub nëse në rinovimin e kontratës nuk figuron shifra 100 mijë paund në javë si rrogë e re.
Sipas gazetën “The Sun”, Arsen Venger dëshiron me çdo kusht të mbajë futbollistin, por të të njëjtit mendim nuk janë drejtuesit e bordit të klubit që kërkojnë të përfitojnë para nga shitja e lojtarit.
Si rrjedhojë, Liverpuli ka bërë gati 15 milion paund për të blerë futbollistin, para të cilat me shumë mundësi do të sigurohen nga shitja e Endi Keroll. Uollkot do të ishte një alternativë shumë e mirë për Liverpulin, duke parë edhe mënyrën e lojës së trajnerit të ri, Brendan Roxhers. Liverpuli refuzoi një ofertë huazimi për Keroll nga Njukasëlli këtë fundjavë, ndërsa ka lënë të kuptohet se sulmuesi që i kushtoi 35 milion paund një vit e gjysmë më parë, është në shitje.
Gjithsesi, situata për blerjen e Uollkot nuk është aq e thjeshtë, pasi fillimisht duhet bindur Arsenali ta lërë të largohet, e më pas duhet luftuar konkurrenca e Çelsit dhe PSZH për futbollistin që ka shumë admirues. (LajmeShqip.com)
Monday, 16 July 2012 10:59