Valon Behrami është shumë pranë kalimit përfundimtar te Napoli, pasi Fiorentina i ka dhënë atij lejen që të shkojë të kryejë vizitat mjekësore të klubi i tij i ardhshëm.
Futbollisti i ishte bashkuar skuadrës së Firences në grumbullim prej dy ditësh, ndonëse e dinte që shumë shpejt ishte pranë ndryshimit të ekipit, pasi Napoli kishte shprehur hapur interesimin për të. Edhe vetë kosovari ishte dakord, ndërsa mbetet për t’u realizuar vetëm marrëveshja mes klubeve në fjalë.
Sot Fiorentina ka bërë të ditur nëpërmjet një komunikate zyrtare se si Valon Behrami, ashtu edhe Alesandro Gamberini, lejoheshin që të bënin vizitat mjekësore me skuadrën e Napolit. Në këtë mënyrë, duket se akordi mes ekipeve është arritur, me mediat italiane që sqarojnë se transferimi i dyfishtë u ka kushtuar rreth 9 milion euro napolitanëve që synojnë të ndërtojnë një ekip të denjë për titullin kampion.
Te Napoli, mesfushori pritet të nënshkruajë një kontratë trevjeçare prej 1.5 milionë eurosh në vit, rreth 200 mijë euro më shumë se sa përfiton aktualisht te Fiorentina. Por vetë lojtari ka bërë të qartë se ana ekonomike nuk ka qenë parësore në këtë marrëveshje, aq sa ana sportive, pasi ai dëshironte një ekip ku të mund të luftonte për titullin kampion. (LajmeShqip.com)
Monday, 16 July 2012 10:47