Vetëm dy ditë i kanë mjaftuar brazilianit Lusio për t’u kthyer në një juventin të mirëfilltë. Gjatë konferencës së tij të parë si një futbollist i bardhezinjve, ai nuk ka kursyer kritikat kundër ish-skuadrës së tij, Interit, edhe në tema mjaft të nxehta, si ajo e titujve të Juventusit që ka shkaktuar mjaft polemika.
“Kush gaboi në largimin tim? Shpresoj Interi, e nëse do t’i shënoj gol do ta festoj padyshim, pasi unë jap gjithmonë maksimumin për skuadrat ku luaj. Te çështja e 30 titujve i jap të drejtë presidentit tonë, Andrea Anjeli”, komentoi mbrojtësi brazilian.
Më pas, batutat kanë vijuar duke iu referuar dy grupimeve të qarta që kanë ekzistuar brenda skuadrës së Interit, mes lojtarëve argjentinas dhe atyre brazilianë ku duket se ky grup i fundit po shpërbëhet plotësisht.
“Mes Brazilit e Argjentinës ka gjithmonë rivalitet. Unë, ashtu si brazilianët e tjerë, isha mik me argjentinasit. Nuk ka patur asnjëherë probleme mes nesh, kjo ishte një zgjedhje e klubit. Mund të jetë që këtë radhë fituan argjentinasit, por në fushë fiton gjithmonë Brazili”.
Në fund, ai foli edhe për sfidën e re me Juventus, një skuadër që sipas tij i ka të gjitha mundësitë të përsëritë suksesin në kampionat.
“Ky është një hap i rëndësishëm për karrierën time, pasi kam ardhur te një klub me një projekt të madh. Zgjodha Juventusin pasi desha të vazhdoja të luaja në nivele të larta. E dimë që Liga e Kampioneve nuk është e lehtë por Juventus duhet të ketë gjithmonë si objektiv maksimumin në këtë turne, kampionat apo Kupën e Italisë”. (LajmeShqip.com)
Monday, 16 July 2012 08:03