Spanjolli Luis Leon Sançez fitoi etapën e 14-të të Turit të Frances në një ditë ku sportit iu bashkua edhe tentativa e sabotimit. Çiklisti i “Rabobank” arriti të finalizonte me sukses një arrati të gjatë të një grupi çiklistësh, ndërsa mundi të shkëputej prej tyre 10 kilometra nga finishi për të kaluar i vetmuar vijën.
Por lufta për klasifikimin e përgjithshëm u prish nga skena shumë të çuditshme në zbritjen e fundi, 40 kilometra nga finishi, pasi shumë çiklistëve iu shpuan rrotat. Kampioni në fuqi, Kadel Evans, u detyrua të ndërronte tre herë biçikletën e tij, ndërsa zyrtarët e garës më pas konfirmuan se në rrugë ishin gjetur shumë thumba të hedhur me qëllim për të dëmtuar vijimin normal të garës.
Në këtë situatë kaotike, mbajtësi i fanellës së verdhë, Bredli Uigins, urdhëroi skuadrën e tij që të priteshin të gjithë çiklistët që u ishin shpuar gomat, duke dhënë një shenjë sportiviteti që më pas u mbështet nga i gjithë grupi kryesor. Një nga rivalët për renditjen ndër 10 më të mirët, Pierr Roland, ishte duke sulmuar në momentet kur u arrit akordi mes çiklistëve dhe fillimisht u shkëput me 2 minuta nga grupi, por më pas ndaloi dhe priti edhe ai pjesën tjetër të çiklistëve, që mbërritën në vijën e finishit 18 minuta pas fituesit të etapës.
Menjëherë pas përfundimit të etapës, të gjithë çiklistët kryesorë u kanë kërkuar drejtuesve të Turit të Francës që të marrin masa në mënyrë që një gjë e tillë të mos ndodhë më. “Imagjinoni sikur të shpoheshin gomat gjatë një zbritje të fortë”, ishte komenti i Uigins, që ka ruajtur përsëri kryesimin pas 14 etapave. (LajmeShqip.com)
Sunday, 15 July 2012 18:17