Një kallëp ari prej 12.5 kilogramësh me vlerë më shumë se 500 mijë dollarë në këmbim të një medalje të artë në Lojërat Olimpike. Kjo është oferta e çmendur që miliarderi malajzian Endriu Kam, pronar i një miniere ari në shtetin lindor të Pahang, është gati t’ua bëjë atletëve të kombëtares së badminton të këtij vendi.
Sipas tij, kjo është një “shtysë morale” për këtë ekip, ku lojtari më i mirë, Li Çong Uei, ka qenë i dëmtuar për një periudhë të gjatë dhe nuk pritet të jetë në formën më të mirë gjatë aktivitetit.
“Kjo është sfida që u kam vënë përpara lojtarëve tanë. Shpresoj që t’i motivoj për të guxuar më shumë. Por e theksoj se këtë çmim e merr vetëm medalja e artë”, ishte deklarata e Kam, i cili më pas theksoi se oferta ishe vlefshme vetëm për skuadrën e badminton, pasi ai është një tifoz i zjarrtë i këtij sporti.
Nëse do të ketë më shumë se një medalje të artë, atëherë sportistët që i kanë fituar do ta ndajnë këtë kallëp ari mes tyre në mënyrë të barabartë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 15 July 2012 15:01