Zhoze Murinjo ka arritur të bindë brazilianin Maikon të heqë dorë nga ideja për të shkuar te Çelsi, duke preferuar Realin në Spanjë. Tekniku portugez mesa duket ia ka dalë mbanë pasi burime pranë Interit kanë konfirmua për mediat italiane se transferimi është thuajse i përfunduar.
Mendohet se Reali do të shpenzojë vetëm 8 milionë euro për futbollistin 31 vjeçar, ndërsa vetë lojtari do të përfitojë 4.5 milion euro në kontratën e tij të re trevjeçare. Mungon ende zyrtarizmi, por gjithçka pritet të mbyllet brenda 3-4 ditëve të ardhshme.
Ndërkohë, Reali është ende në kërkim të mesfushorit të shumëpritur, ku ka vënë si objektiv kryesor afrimin e Luka Modriç, për të cilin është gati të presë deri në ditën e fundit të merkatos.
Totenhemi ka vënë një çmim të lartë për lojtarin, 40 milionë euro, shifër të cilën madrilenët nuk kanë ndërmend ta paguajnë e për këtë arsye po mundohen në të gjitha mënyrat që të fusin në marrëveshje edhe Karvajo e Diarra.
Vetë Murinjo është gati të gjejë një sistemim sa më shpejt edhe për Shahin e Kaka, pasi u ka kërkua drejtuesve të skuadrës që nuk i nevojiten më shumë se 22 lojtarë (pa portierët) në këtë sezon, duke bërë të qartë se kush ishin lojtarët e tepërt që duhen sistemuar sa më parë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 15 July 2012 14:10