Presidenti i Francës, Fransua Holand, ka vlerësuar lojën e përfaqësues spanjolle gjatë Euro 2012, duke theksuar se ajo do të ketë një efekt pozitiv për spanjollët që përballen me një krizë të rëndë ekonomike.
Gjatë një interviste në televizionin kombëtar TF1 me rastin e Ditës së Bastijës, ai kritikoi sjelljen e lojtarëve francezë gjatë turneut, ku flitej se kishte patur përballje mes tyre.
“Nuk është çështje integrimi, por respekti. Ky nuk është as një problem parash, pasi edhe spanjollët paguhen njëlloj si francezët por janë të bashkuar”, tha Holand.
“Spanja nuk është e pasur, por rezultatet e ekipit të tyre kombëtare do të ndihmojë frymën pozitive e si rrjedhojë ekonominë. Kur veshën fanellën e Francës duhet të jesh shumë krenar. Shihni ushtarët që parakaluan në Paris”, tha ai duke iu referuar paradës që u zhvillua gjatë festës.
Më pas, Holand theksoi se nuk kritikonte rezultatet e francezëve, të cilët kanë përjetuar periudha “të mira dhe të këqija”, por insistoi se të gjithë futbollistët duhet “të respektojnë fanellën që veshin dhe publikun që i ndjek”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 15 July 2012 10:51