Iker Kazijas ka treguar se Real Madrid ka si objektiv në këtë sezon të fitojë çdo turne në të cilin merr pjesë, në Spanjë si dhe në Evropë. Kapiteni i madrilenëve ka ngritur gjatë sezonit të fundit trofeun e kampionatit me skuadrën e tij, por është i uritur për më shumë.
“Ajo që më intereson për momentin është të fitoj çdo trofe me Real Madrid. Do ta nisim kampionatin në një mënyrë spektakolare, duke luajtur kundër Valencias që është një skuadër e cila luan mirë dhe e bën çdo ndeshje të vështirë. Por objektivi ynë është të fitojmë tituj”.
“Unë dua që të fitojmë katër trofe me Real Madrid: Superkupën e Spanjës, Kampionatin, Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampioneve. Kuptohet që Liga e Kampioneve do të ishte shumë e veçantë për klubin pasi do të ishte suksesi i 10-të. Sezonin e kaluar ishim shumë pranë finales në Ligën e Kampioneve, këtë vit duam të jemi aty dhe sigurisht ta fitojmë”, vijoi portieri i Realit, i cili më pas ka folur edhe rreth shanseve të tij për të fituar në këtë edicion “Topin e Artë”, falë suksesve si me Realin, ashtu edhe me përfaqësuesen e Spanjës.
“Ai trofe duhet fituar nga lojtari që e meriton më shumë. Tani thonë se duhet ta fitoj unë, por kjo nuk është një gjë që më lë pa gjumë duke menduar rreth saj. Është e qartë që portierët nuk janë mes të preferuarve në këto lloj trofesh, por besoj se kemi të njëjtën të drejtë të fitojmë “Topin e Artë” si çdo lojtar që hyn në fushën e lojës në çdo ndeshje”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 14 July 2012 15:01