Maksi Rodriguez është larguar nga Liverpuli drejt ish-skuadrës së tij, Njuell Old Bois në Argjentinë. Lojtari 31-vjeçar u la i lirë dhe nuk do të paguajë asgjë për këtë transferim, i cili u bë me vetë kërkesën e futbollistit.
Lojtari që iu bashkua “të kuqve” në janarin e vitit 2010, ka shënuar 17 gola në 73 ndeshje që ka luajtur me fanellën e kësaj skuadre. Ndonëse ashtu si pararadhësit e tij, trajneri Roxhers dëshironte që futbollisti të luante një rol të rëndësishëm në këtë ekip, është mësuar se klubi ka vendosur ta lërë të lirë Rodriguez, edhe pse kishte edhe një vit të mbetur në kontratë.
“Po kthehem në shtëpi me një valixhe të mbushur me kujtime të mëdha. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen. Para se të nënshkruaja për Liverpulin, e shihja klubin si një nga institucionet më të mëdha në futboll. Pasi erdha këtu, mund të them se nuk është vetëm një klub i madh, por edhe një familje e madhe”, ishin fjalët e futbollisti që ka luajtur 43 ndeshje me përfaqësuesen e Argjentinës.
Rodriguez debutoi në futbollin profesionist te Njuell në vitin 1999, duke luajtur 57 ndeshje me fanellën e kësaj skuadre, para se të transferohej në Spanjë, fillimisht në vitin 2002 te Espanjol e më pas në vitin 2005 te Atletiko Madrid. (LajmeShqip.com)
Saturday, 14 July 2012 09:20