Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka hedhur hije dyshimi rreth ligjshmërisë së fitores së titullit kampion nga Real Madrid në sezonin e fundit, duke thënë se turneu kishte qenë i çuditshëm. Madrilenët e mbyllën sezonin me shifrën rekord të 100 pikëve, duke lënë pas pikërisht Barcelonën.
Gjatë gjithë kampionatit, shumë nga futbollistët katalanas u ankuan për mënyrën se si po vepronin gjyqtarët që po penalizonin ata dhe po favorizonin madrilenët dhe tani Rosell ka pranuar se as ai nuk kishte qenë i kënaqur me rrjedhën e ngjarjeve. “Të gjithë e dimë që kampionati i fundit ishte shumë i çuditshëm”, ishte deklarata e tij që bëri shumë bujë.
Më pas, Rosell foli për trajnerin Tito Vilanova, duke hedhur poshtë zërat se 42 vjeçari do të ndeshte vështirësi për të përballuar ritmin e lartë në klubin katalanas për shkak të gjendjes shëndetësore, pasi një vit më parë u operua për një tumor.
“Unë e shoh atë entuziast dhe të shëndetshëm. Që në tetor, në nuk kishim asnjë dyshim se ai do të bëhej trajneri i ri nëse Pep Guardiola vendoste të largohej”.
Në fund, Rosell i ka thurur elozhe një personazhi të së kaluarës katalanase, brazilianit Ronaldinjo, i cili ndihmoi këtë skuadër të fitonte dy tituj kampion dhe një Ligë Kampionesh.
“Ronaldinjo i dha fund një serie negative që mbizotëronte në klub dhe e bëri atë përsëri pozitive. Kjo është ajo që bëri Ronaldinjo në të vërtetë. Ai ndryshoi kursin e Barcelonës dhe kontributi i tij vazhdon edhe sot”. (LajmeShqip.com)
Saturday, 14 July 2012 08:02