Tani mbetet vetëm zyrtarizimi por praktikisht mund të thuhet se Zlatan Ibrahimoviç dhe Tiago Silva janë futbollistë të PSZH. Pas akordit të arritur mes klubeve një ditë më parë për transferimin e dy lojtarëve për 65 milionë euro, sot e kishin radhën futbollistët të gjenin akordin me PSZH.
Nëse për Tiago Silva gjithçka ka qenë e thjeshtë pasi lojtari kishte diskutuar edhe pak javë më parë me parisienët, ajo që ka zgjatur më shumë ka qenë biseda mes menaxherit të Ibrahimoviç, Mino Raiola, dhe drejtorit sportiv të PSZH, Leonardo. Pas plot 5 orësh bisedime është gjetur një akord i përbashkët, ku suedezi do të marrë një rrogë prej 12.5 milionë eurosh në vit pa llogaritur këtu bonuse të tjera që i çojnë përfitimet e tij deri në 14 milionë euro në vit për tre sezonet e ardhshme.
“Këto çmime diktohen nga merkato, jo nga unë dhe Ibra. Jo të gjithë janë në gjendje të blejnë Xhokondën, nëse do të ishte e mundur. E njëjta gjë është edhe në futboll, jo të gjithë i kanë mundësitë të blejnë Zlatan. Aktualisht, vetëm PSZH dhe Mançester Siti, ndaj është e drejtë që të njihet vlera e tij reale. Ndërsa klube të tjera si Milan dhe Barcelona janë në vështirësi financiare”, ishin fjalët e Raiola pas mbledhjes me Leonardon.
Vetë futbollisti suedez që pritet në Paris për vizitat mjekësore, ka zgjedhur të shkojë në Itali për të bërë dy ditë pushime me ish-shokët e skuadrës, Inzagi e Abate, ndërsa nuk ka lëshuar ende asnjë deklaratë. Por deklarata më e bujshme ka ardhur nga gruaja e Tiago Silva, e cila ka lënë të kuptohet se ka qenë klubi që ka shtyrë për transferimin e lojtarëve drejt Parisit dhe jo e kundërta. “Ne nuk kemi dashur asnjëherë të largohemi që këtu, Tiago dëshironte të qëndronte”, tha ajo. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 July 2012 21:39