Xhon Terri është shpallur i pafajshëm për akuzën e shkeljes së rëndë publike me karakter racor e cila përfshin Enton Ferdinand. Lojtari u akuzua pasi u pa të përmendte termin “i zi” në një fyerje në drejtim të Ferdinand në ndeshjen Çelsi-QPR të 23 tetorit.
Kur u dha vendimi, Terri thjesht tundi kokën e nuk reagoi, ndërsa u largua më pas nga salla e gjyqit pa dhënë asnjë deklaratë, kurse para mediave foli vetëm përfaqësuesi i tij, Dan Morrison.
“Gjyqi ka shpallur sot Xhon Terrin të pafajshëm ndaj të gjitha akuzave që ngriheshin kundër tij, pasi ai i ka shpjeguar me vazhdimësi pozicionin e tij Federatës Angleze, policisë dhe së fundi edhe gjyqit. Ai nuk ka përdorur abuzim racor kundër Enton Ferdinand dhe salla e gjyqit e pranoi një gjë të tillë”.
Gjykatësi Hauard Ridëll shpjegoi edhe arsyet pse ai e kishte shpallur të pafajshëm kapitenin e Çelsit, duke vënë në vend të parë në listë faktin se askush nuk kishte dëshmuar me saktësi për fjalët ofenduese që kishte thënë mbrojtësi. “Çështja është nëse Z. Terri i përdori këto fjalë si fyerje dhe jo nëse ai është racist, pasi kemi prova të pakundërshtueshme që ai nuk është i tillë”.
“Pavarësisht ndihmës nga lexuesit e buzëve apo pamjet televizive, është thuajse e pamundur të jesh i sigurt për saktësinë e fjalëve të thëna nga Z. Terri në atë moment. Vendimtar është fakti se askush nuk ka dhënë dëshmi rreth asaj që ka thënë Z. Terri dhe mënyrës se si e ka thënë”, ishte shpjegimi i gjyqtarit rreth kësaj çështje që ka bërë shumë bujë dhe kishte pasoja shumë të rënda në futbollin anglez, duke sjellë mes të tjerave edhe largimin e Fabio Kapelos nga stoli i përfaqësueses angleze. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 July 2012 15:46