Hapësira të gjelbra në qytetin e Londrës po kthehen në baza të vogla ushtarake me vendosjen e raketave tokë-ajër në vendet strategjike të qytetit, ashtu siç nuk ka ndodhur që prej Luftës së Dytë Botërore.
Sisteme raketash janë ndërtuar me shpejtësi gjatë dy ditëve të fundit në zonën e Leitonston, Bou, Blekhith Komon, Okslis Ud, Enfild dhe Eping Forest në atë që është operacioni më i madh i sigurisë në kohë paqeje që ka parë Anglia.
Gjatë ditës së djeshme, banorët e Londrës kanë parë me kureshtje se si trupat ushtarake kanë filluar instaliminin e sistemeve të raketave jo vetëm nëpër fusha e parqe publike, por edhe mbi çatitë e kullave dhe qendrave të banimit, në një ngjarje që dukej sikur ishte marrë nga filmat e vjetër bardhezi të Luftës së Dytë Botërore.
Ushtria ka ndërmarrë këto masa të rrepta për të mbrojtur Lojërat Olimpike nga ndonjë sulm i mundshëm terrorist dhe sistemi i raketave tokë-ajer shërben për të rrëzuar avionë, nëse do të planifikohen sulme të ngjashme me ato të 11 shtatorit në SHBA.
Megjithatë, kjo situatë ka sjellë pakënaqësi mes qytetarëve, të shqetësuar se municione të rrezikshmërisë së lartë tani gjenden në parqet ku luajnë fëmijët e tyre, apo edhe më keq, mbi kokat e tyre në banesat ku jetojnë. Për më tepër, shumë prej tyre pretendojnë se vendosja e sistemeve të raketave mbi ndërtesa banimi, i ka kthyer këto të fundit automatikisht në objektiva të mundshëm të terroristëve, duke rrezikuar kësisoj jetën e qytetarëve të thjeshtë.
Plani i mbrojtjes së Londrës përfshin edhe afrimin e një mbajtëse helikopterësh luftarakë, luftanijes “HMS Ocean”, e cila është ankoruar në lumin Tamiz. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 July 2012 11:40