Kevin Durant shënoi 24 pikë e 10 topa në tabelë ndërsa kombëtarja e basketbollit e SHBA shkatërroi atë të Republikës Domenikane me rezultatin 113-59 në ndeshjen e parë përgatitore të ekipit para pjesëmarrjes në Londër 2012.
Durant, i cili është shpallur pikëshënuesi më i mirë në NBA në tre sezonet e fundit, si dhe lojtari më i mirë i turneut gjatë Botërorit të Basketbollit në vitin 2010, ka dashur të tregojë se pret me padurim një tjetër trofe, por këtë radhë në formën e medaljes së artë në Lojërat Olimpike.
Ndonëse ai e filloi ndeshjen nga stoli i rezervave, arriti të shënonte 9 nga 11 gjuajtjet nga fusha, mes të cilave 5 nga 6 për 3 pikë. Andre Iguodala shtoi 18 pikë dhe Karmelo Entoni 13 të tjera, ndërsa dy nga yjet e skuadrës, LeBron Xhejms dhe Kobi Brajant vendosën të “kurseheshin” duke luajtur një rol dytësor në këtë sfidë përballë Republikës Domenikane, një skuadër që pretendonte të merrte pjesë në Lojërat Olimpike.
Lajmi i vetëm i keq për SHBA është dëmtimi i Bleik Grifin, i cili nuk do të marrë pjesë në këtë aktivitet dhe është zëvendësuar në skuadër nga i riu i talentuar Entoni Devis, zgjedhja e parë në draftin e këtij viti në NBA. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 July 2012 10:57