Mançester Junajtid është shumë pranë firmës me të riun e talentuar brazilian Lukas Moura, ndërsa dje ka prezantuar zyrtarisht dy blerjet e para të kësaj vere. Ndërsa Aleks Ferguson shfaqej para mediave me Shinji Kagaua dhe Nik Pauell, në anën tjetër të Atlantikut, shefi i gjurmuesve të talenteve, Xhim Loulor, filloi bisedimet me drejtuesit e Sao Paulo për të mbyllur marrëveshjen që pritet të kapë shifrën e 25 milion paund.
Loulor fluturoi drejt Brazilit të mërkurën ndërsa mendohet që sekretari i klubit anglez, Xhon Aleksander, është në gjendje gadishmërie për të plotësuar transferimin, pasi Mançester Junajtid kërkon të mbyllë gjithçka para se futbollisti të luajë me ekipin olimpik kundër Britanisë së Madhe në një miqësore gjatë javës së ardhshme.
Sao Paulo pretendon se ka hedhur poshtë një ofertë prej 32.4 milion paund të Çelsit për futbollistin 19 vjeçar, por Mançester Junajtid mendon se 25 milionë paund janë mëse të mjaftueshme për të siguruar firmën e tij.
Ata janë gati të përfshijnë në marrëveshje edhe mesfushori brazilian Anderson, i cili nuk ka arritur të shkëlqejë në “Old Traford” dhe kërkon një skuadër ku mund të aktivizohet më rregullisht. Skuadra angleze ka shumë konkurrencë për blerjen e Lukas Moura, pasi dy ekipe që po e kërkojnë me ngulm janë Totenhem dhe Inter, me këtë të fundit që ka bërë një ofertë fillestare prej 20 milion paund, të refuzuar nga klubi brazilian.
“Ka shumë mundësi që të bëjmë edhe një apo dy blerje të tjera. Kur ka një Botëror apo Evropian, ka gjithmonë vonesa në industrinë e transferimeve. Por tani që aktivitetet mbaruan, do të mundohemi që të afrojmë sa më shpejt të paktën një lojtar”, konfirmoi Ferguson. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 July 2012 08:40