Klaus Lundekvam ka deklaruar se është gati të flasë me përfaqësuesit e FIFA-s për të konfirmuar edhe një herë atë që ka thënë për mediat rreth manipulimit të ngjarjeve në ndeshjet e kampionatit anglez, në mënyrë që të fitoheshin para nga bastet sportive.
FIFA konfirmoi dje se do të hapej një hetim zyrtar për këtë çështje dhe Lundekvam duket se nuk e ka problem një gjë të tillë, pasi pretendon se ka qenë i ndershëm për çdo fjalë që ka thënë.
“Fatkeqësisht, jam treguar i ndershëm në këtë situatë ndaj dua të flas me FIFA-n, nëse ata do të dëshirojnë. Sigurisht që kam emra personash dhe ndeshje. Por nuk do të tregoj asgjë më shumë publikisht, nëse nuk më detyrojnë. Nuk do të tregoj se kush janë personat e tjerë, por i qëndroj versionit që kam dhënë në media para pak ditësh”, tha norvegjezi për gazetën “The Sun”.
“E përsëris që për këto baste na duhej pak ndihmë nga kundërshtarët. Normalisht ishte vetëm rivënia e parë anësore, ku zakonisht e hidhnim vetë topin jashtë. Por e di me siguri që edhe në skuadra të tjera veprohej në të njëjtën mënyrë”.
“E kuptoj që lojtarët me të cilët kam luajtur te Sauthempton deklarojnë se nuk e kanë parë kurrë një gjë të tillë dhe për mua ky nuk është problem. Ju siguroj që nuk kam shpikur asgjë pasi nuk fitoj asgjë nga kjo situatë. Më vjen keq që ndershmëria ime ka shkaktuar kaq shumë probleme”, tha ish-futbollisti. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 July 2012 08:01