Francezi Pierr Roland ka arritur të fitojë etapën e 11-të të Turit të Francës, më e vështira e këtij edicioni, ndërsa Bredli Uigins thelloi diferencën në kreun e renditjes duke iu shkëputur ndjekësit më të afërt, kampionit në fuqi, Kadel Evans, në ngjitjen e fundit.
Roland i dha skuadrës së tij “Europcar” suksesin e dytë radhazi në këtë edicion, duke treguar aftësitë e tij në ngjitjen dërrmuese të finishit drejt resortit turistik për ski të La Tusuir.
Francezi fitoi me 55 sekonda diferencë ndaj ndjekësve të tij më të afërt, Tibo Pino dhe Kristofer From. Uigins dhe dy rivalët për titullin, belgu Van Den Bruk dhe italiani Nibali, ishin 2 sekonda më të ngadaltë.
Ndërkohë, Kadel Evans u shfaq shumë larg formës së edicionit të kaluar, duke humbur më shumë se një minutë ndaj Uigins në ngjitjen e fundit, pa arritur të mbante hapin e britanikut dhe pretendentëve të tjerë për fitoren e trofeut. (LajmeShqip.com)
Renditja e Turit të Francës pas etapës së 11-të
1. Bredli Uigins 48 orë 43’53”
2. Kristofer From +2’05”
3. Vinçenco Nibali +2’23”
4. Kadel Evans +3’19”
5. Jurgen Van Den Bruk +4’48”
6. Haimar Zubelda +6’15”
7. Tixhei Van Garderen +6’57”
8. Janez Brajkoviç +7’30”
9. Pierr Roland +8’31”
10. Tibo Pino +8’51”
Thursday, 12 July 2012 20:12