E ardhmja e Uesli Shnajder mbulohet gjithnjë e më shumë me mister. Fillimisht i nxjerrë në shitje nga trajneri Stramaçioni, pastaj i kthyer mes të paprekshëmve, ai ka zgjuar interesimin e Anzhi në Rusi. Dy ditë më parë, u përhap në media lajmi për një ofertë të jashtëzakonshme prej 25 milionë eurosh për lojtarin, i cili do të përfitojë 15 milionë euro në sezon për të luajtur përkrah Samuel Eto’o.
Sot, nga Rusia kanë ardhur sinjale të tjera për realizimin e kësaj marrëveshje, pasi faqja e internetit Sportbox.ru ka dhënë lajmin se transferimi i lojtarit ishte shumë pranë realizimit. “Shnajder do të jetë shumë shpejt pjesë e Anzhi. Marrëveshja mes klubit dhe menaxherit është në fazën finale dhe lojtari do të jetë pjesë e skuadrës në ditët e ardhshme”.
Por si Inter, ashtu edhe menaxheri i futbollistit holandez kanë refuzuar gjithçka. “Nuk kam marrë as oferta dhe as ndonjë telefonatë nga rusët për Shnajder”, ishte deklarata e drejtorit teknik të Inerit, Marko Branka. Në pozicion të cilit i është shtuar edhe ai i menaxherit të futbollistit, Soren Lerbi, i cli ka bërë të ditur se nuk ka kontakte me klubin rus.
Por zërat e vazhdueshëm të transferimit dhe situata ku Interi ka filluar një proces rinovimi të plotë duke larguar shumë nga lojtarët e vjetër, mund të sjellë të reja rreth holandezit, i cili në sezonin e kaluar ka qenë shumë larg formës së tij të zakonshme. Për më tepër, zikaltërit po interesohen për brazilianin Lukas, i cili luan pikërisht si mesfushor organizator, pozicioni që Shnajder ka mbuluar në radhët e zikaltërve. (LajmeShqip.com)
Thursday, 12 July 2012 15:01