Drejtuesit e Arsenalit kanë bërë të ditur se ata vendosën të blinin Olivier Zhirud duke menduar se Robin Van Persi do të largohej nga kjo skuadër. Francezi, që iu bashkua “topçinjve” nga Montpelje për 13 milionë paund, pritet të formojë dyshen e sulmit me gjermanin Lukas Podolski nëse holandezi vendos të largohet gjatë verës.
Gjurmuesi i lojtarëve për Arsenalin, Zhil Grimandi, ka pranuar se francezi mund të cilësohet një zëvendësues për Van Persin, i cili kërkohet me ngulm nga ekipe si Mançester Siti, Mançester Junajtid, Juventus dhe Barcelona.
“A u bë blerja e Zhirud për të kompensuar një largim të Van Persit? Po, i dolëm punës para që të mos e gjenim veten në vështirësi. Ne duam që Van Persi të qëndrojë, por atij i ka mbetur vetëm një vit kontratë dhe situata është e komplikuar. Te Arsenali ka një atmosferë të shëndetshme, ai ka qenë aty për 8 vite dhe është i përkushtuar ndaj klubit”.
“Por nëse ka një ofertë të mirë dhe ai dëshiron të largohet, do të jetë e vështirë që të mbahet. Nuk do të kisha menduar asnjëherë se lojtarë si Tiago Silva mund të ishin të transferueshëm dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Van Persin. Po ka parametra ndaj të cilëve nuk mund të rezistosh”, tha ai duke iu referuar ofertave të çmendura që sheikët e Mançester Siti apo Paris Sent Zhërmen bëjnë për lojtarë të ndryshëm. (LajmeShqip.com)
Thursday, 12 July 2012 13:20