Ylli i NBA, LeBron Xhejms, beson se Liverpul do të vazhdojë të vuajë në sezonin e ardhshëm, ndonëse skuadra ka bërë ndryshime të mëdha. Megjithëse te ky klub u investua shumë në sezonin e kaluar, ai e mbylli edicionin 2011-2012 me 37 pikë diferencë nga Mançester Siti që u shpall kampion në Angli.
Xhejms, një aksioner minoritar që në prillin e vitit 2011, mendon se klubi e ka të pamundur të shkurtoje diferencën me ekipet që ka para.
“Kjo është një periudhë e vështirë për klubin. Liverpuli është një skuadër që për momentin po kalon tranzicion, ndaj nuk e di se çfarë mund të arrijë”, ka pranuar ai.
Basketbollisti amerikan do të jetë në Londër për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike dhe për mediat angleze ka pranuar se futbolli është kthyer në një nga sportet e tij më të preferuar.
“E adhuroj futbollin, më pëlqen ta ndjek, të lexoj për të, u dashurova me të pasi pashë për herë të parë një ndeshje. Kam një respekt të madh për atë që bëjnë futbollistët. Është si basketbolli, ku fillimisht duhet të jesh një skuadër”.
“Nëse sheh disa nga aksionet e tyre, janë si në basketboll, ata lëvizin dhe hyjnë diagonalisht, por e bëjnë këtë gjë me këmbë. Futbollistët pasojnë me këmbë ndërsa ne e bëjmë me duar, duke u munduar që të dërgojmë dikë për të shënuar në rrjetë. Përfundimisht, unë e adhuroj këtë sport”, ishin fjalët e LeBron Xhejms. (LajmeShqip.com)
Thursday, 12 July 2012 10:01