Trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, është si zakonisht një nga personat që ironizon më shumë me arritjet e Juventusit. Ai ka shfrytëzuar rastin këtë radhë që të thumbojë skuadrën që i rrëmbeu titullin kampion, duke i kujtuar se nuk ka 30 tituj, siç pretendojnë bardheznjtë, por 31.
“Titujt e Juves? Nëse për Zeman janë 28, për mua janë 31. Askush nuk kujton që kanë fituar edhe atë të Serisë B! Por tani boll me këtë teatër, ka një organ kompetent që vendos gjithçka”, ishin fjalët e trajnerit të Milan rreth kësaj çështje.
Më pas, ai ka folur rreth ekipit të tij, duke filluar nga ajo që pret prej Zlatan Ibrahimoviç në këtë sezon të ri, ku skuadra synon t’u kthehet trofeve.
“Këtë vit, bashkë me Ambrozinin dhe Tiago Silvën duhet të kthehet në një shembull për shokët e skuadrës. Ai është një person që merr mbi vete shumë përgjegjësi, do të shfaqë dëshirën të vërë veten në diskutim dhe të bëjë më mirë se sa në sezonin paraardhës. A do ta ndërroja me Balotelin? Mario ka treguar në Evropian një rritje të jashtëzakonshme por Ibrahimoviç nuk do ta ndërroja me askënd”, ishin fjalët e trajnerit të Milan.
Normalisht është folur edhe për merkaton dhe gjendjen e skuadrës në këtë fillim sezoni. “Tiago dhe Zlatan qëndrojnë, por nëse ndodh e kundërta, do të ishte shumë e vështirë t’i zëvendësonim. Blerje të reja? Vetëm po erdhi ndonjë mesfushor qendre! Përpara kemi një repart që në Itali nuk e ka askush tjetër dhe në Evropë janë të pakët ata që mund të na konkurrojnë. Për më tepër, këtë vit kthehen Kasano e Pato, ndaj tani shpresoj vetëm të vijë një regjisor para mbrojtjes”, tha Alegri, i cili me sa duket është penduar shumë që ka lënë të largohet Pirlon një vit më parë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 11 July 2012 15:01