Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka kritikuar vendimin e marrë nga Federata Spanjolle e Futbollit, e cila dje vendosi t’i heqë Zhoze Murinjos pezullimin për Superkupën e këtij edicioni.
Trajneri i Real Madrid, ashtu si edhe ai i Barcelonës, Tito Vilanova, panë t’u hiqej dënimi i marrë rreth një vit më parë dhe të dy do të kenë mundësi të ulen në pankinë gjatë takimit mes dy skuadrave për Superkupën e këtij edicioni. Murinjo ishte dënuar me dy ndeshje pasi i futi gishtin në sy Vilanovës gjatë një zënkë mes dy skuadrave në ndeshjen e edicionit të kaluar, ndërsa ish-asistenti i Guardiolës mori një dënim prej një ndeshje pasi reagoi ndaj gjestit të trajnerit portugez.
“Është e qartë për mua që Murinjo është dhunuesi, por rregullat thonë se mund të ketë një falje dhe ne duhet ta pranojmë një gjë të tillë. Murinjo veproi me paramendim, agresioni i tij ishte nga mbrapa. Ky është një veprim i papërshtatshëm dhe qesharak nga një figurë kaq publike”, u shpreh Laporta.
“Mendoj se vetëm Murinjo duhej ndëshkuar në këtë rast pasi reagimi i Tito është normal, si ai ndaj një personi që mundohet të të dëmtojë nga mbrapa”, tha avokati i njohur katalanas. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 11 July 2012 12:30