Sulmuesi brazilian i Portos, Hulk, ka bërë të ditur se nuk ka arritur një akord me Çelsin apo një klub tjetër për transferimin gjatë muajve të verës nga skuadra portugeze. Fituesit në fuqi të Ligës së Kampioneve kanë qenë të lidhur prej kohësh me një transferim të lojtarit i cili disa javë më parë bëri kërkesë të hapur për t’u larguar nga skuadra e tij aktuale.
“Nuk kam asnjë marrëveshje me Çelsin apo ndonjë klub tjetër. Më kanë mbetur edhe katër vite kontratë me Porton dhe aktualisht jam i përqendruar të ekipi kombëtar. Nuk kam folur me askënd. Unë nuk përfshihem në këto çështje pasi nuk dua të shpërqendrohem. Me këto gjëra merret menaxheri im”, tha lojtari 25 vjeçar i cili do të marrë pjesë me Brazilin në Lojërat Olimpike Londër 2012.
Grumbullimi i sulmuesit në kombëtaren olimpike ka sjellë mjaft polemika, pasi ish-lojtari i Brazilit, Romario, ka deklaruar se trajneri Menezes duhej të kishte afruar një lojtar me më shumë eksperiencë mes tre futbollistëve mbi moshë që lejohen të marrin pjesë në aktivitet. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 11 July 2012 11:40