Federata Ruse e Futbollit ka publikuar një listë me 13 emra trajnerësh, kandidatë për të marrë drejtimin e përfaqësueses së këtij vendi pas largimit të Dik Advokat me përfundimin pa sukses të Euro 2012.
Ashtu siç pritej, në listën prej 13 kandidatësh figurojnë shumë emra të njohur të futbollit botëror, të cilët janë kontaktuar apo do të kontaktohen në ditët në vazhdim nga përfaqësuesit e Federatës Ruse për të përzgjedhur më pas një trajner i cili pritet të nënshkruajë një kontratë afatgjatë 6-vjeçare.
Në listë bien në sy emra shumë të njohur, duke filluar nga Pep Guardiola, Rafa Benitez, Marcelo Bielsa, Herri Redknap, Fabio Kapelo e Marçelo Lipi. Nuk kanë munguar në këtë listë as trajnerë të njohur rusë, si Juri Semin dhe Valeri Gazaev.
Por pikërisht ky i fundit, një nga figurat më të shquara të futbollit rus në këto vite, e ka cilësuar këtë proces si një “shaka” dhe një “cirk”.
“E imagjinoj që të gjithë në Evropë po shkrihen duke qeshur, duke përfshirë edhe ata që janë në listën me 13 emra. Kam një ndjesi të pakëndshme për veten, ashtu si edhe për njerëz të tjerë të cilët janë përfshirë në këtë listë”, tha ai, por duke mos e refuzuar absolutisht postin e trajnerit të kombëtares ruse.
Rusët janë të gatshëm të paguajnë më shumë se 5.5 milion paund në vit që përfitonte Dik Advokat. Por me borxhe që kalojnë më shumë se 10 milionë paund për shkak të shpenzimeve të tepruara gjatë kohëve të fundit, drejtuesit e Federatës Ruse kanë bërë thirrje publike për sponsorë që t’i ndihmojnë të paguajnë rrogën e një trajneri cilësor. (LajmeShqip.com)
Lista e kandidatëve për trajnerë të Rusisë
Rafael Benitez
Anatoli Bishovets
Marcelo Bielsa
Valeri Gazaev
Josep Guardiola
Fabio Kapelo
Andrei Kobelev
Juri Krasnozhan
Marçelo Lipi
Valeri Nepomniasshi
Nikolai Pisarev
Herri Redknap
Juri Semin
Wednesday, 11 July 2012 09:20