Skuadra zyrtare e Hondas në MotoGP do të përbëhet nga një dyshe tërësisht spanjolle, pasi është konfirmuar se në sezonin e ardhshëm, ky motor do të niset si nga Dani Pedroza ashtu edhe Mark Markez.
Lajmi qarkullonte prej disa ditësh në ambientet e garave me motorë, por konfirmimet e para kanë ardhur që të hënën. Fillimisht Pedroza ka rinovuar për dy vite kontratën e tij me këtë skuadër, pasi bindi drejtuesit e saj me një fitore spektakolare në Saksenring në Gjermani.
Më pas, skuadra japoneze ka arritur akordin me Mark Markez, në mënyrë që ylli i ri spanjoll të zëvendësojë Kejsi Stoner, i cili ka vendosur të braktisë përfundimisht garat e motoçiklizmit.
Markez po shkëlqen në Moto 2 ku është kryesues i renditjes botërore dhe kandidat kryesor për të fituar titullin.
Ndonëse është vetëm 19 vjeç, ai cilësohet një talent i padiskutueshëm dhe në gjendje të shfaqet në nivele të larta, duke u krahasuar pikërisht me Stoner dhe Valentino Rosin në fillimet e tyre.
Lajmi pritet të zyrtarizohet të enjten në Muxhelo, ku pilotët do të mblidhen për të garuar në etapën e 9-të të Botërorit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 10 July 2012 16:01