David Vija mund të kthehet në blerjen më të mirë të Barcelonës në këtë sezon për trajnerin Tito Vilanova, i cili me sa mësohet nga “Mundo Deportivo”, i ka konfirmuar lojtarit se do të jetë ai titullar në këtë sezon.
Gazeta spanjolle konfirmon nga burime pranë klubit se ka patur një bisedë mes lojtarit dhe trajnerit, ku ky i fundit i ka shprehur besimin futbollistit, duke e cilësuar pjesë të rëndësishme të planeve të skuadrës.
Kjo është arsyeja pse Vilanova ka hedhur plotësisht poshtë mundësinë e blerjes së një sulmuesi, pas ka besim të plotë te aftësitë e 30 vjeçarit asturian, i cili ishte në maksimumin e tij para dëmtimit që e la jashtë fushave për më shumë se 6 muaj.
Si rrjedhojë, reparti i avancuar i Barcelonës pritet të formohet nga Vija, Mesi e Sançez, të cilët do të kenë si alternativa Pedro, Kuenka, Tejo dhe Afellai. Për këtë të fundit, do të shqyrtohet shitja e tij vetëm nëse mbërrin ndonjë ofertë e parefuzueshme, në të kundërt do të vazhdojë të jetë pjesë e katalanasve edhe në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 10 July 2012 15:01