Mark Ueber do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës Red Bull edhe në sezonin 2013 të Fomula 1, me lajmin që u dha nga skuadra e cila vendosi t’i jepte fund të gjitha thashethemeve për kalimin e australianit të rivalët e Ferrarit.
Ueber ka disa vite radhazi që firmos kontrata njëvjeçare të ripërtëritshme me skuadrën Red Bull, por mendohej se këtë radhë ai nuk do të rinovonte duke zgjedhur të bëhej partneri i Fernando Alonso te skuadra italiane që po kërkon një zëvendëses për Felipe Masa në vitin 2013.
“Kam qenë te Red Bull që nga viti 2007 dhe kam arritur të fitoj 9 gara me këtë skuadër gjatë kësaj periudhe. Kam besim dhe jam shumë i motivuar për këtë sezon dhe në vazhdim. E njoh mirë skuadrën dhe ndjehem mirë këtu, jemi rritur bashkë gjatë këtyre viteve dhe duket gjëja më e mirë e mundshme për të firmosur edhe një vit me Red Bull”, ishin fjalët e pilotit australian i cili është aktualisht i dyti në renditjen botërore të Formula 1, pas suksesit që mori në Silverston këtë fundjavë.
Mark Ueber dhe Fernando Alonso, piloti që kryeson renditjen botërore, janë të vetmit që këtë sezon kanë fituar nga dy gara, pasi australiani ka regjistruar më parë edhe një sukses në pistën e Montekarlos. Tani piloti që cilësohej i “dytë” në skuadrën Red Bull, është ai që duket më në formë dhe ka më shumë shanse për të kapur Alonson në kreun e klasifikimit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 10 July 2012 14:10