Milani po e fillon sezonin e ri me më shumë probleme se asnjëherë tjetër. Kuqezinjtë fillimisht vendosën të mbanin të gjithë kampionët e tyre, por tashmë duket se kanë ndryshuar mendje dhe po përgatiten të largojnë lojtarë të rëndësishëm pasi nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet e mëdha financiare të rrogave stratosferike.
“Tiago Silva dhe Ibra? Nuk i dihet. Gjithçka mund të ndodhë. Ka kosto shumë të mëdha dhe nevojiten sforco të rëndësishme ekonomike. Duhet të fillojmë të harrojmë emrat e mëdhenj, edhe pse ne gjithmonë do të mundohemi të jemi konkurrues”, është alarmi që ka lëshuar Adriano Galiani në mediat italiane.
Duket se kuqezinjtë janë gati të sakrifikojnë Ibrahimoviç (dhe rrogën e tij të lartë), për të siguruar disa të ardhura me të cilat mund të plotësojnë ëndrrën e vitit të kaluar, kur kërkonin nga Mançester Siti argjentinasin Karlos Tevez. Nëse ky i fundit nuk do të dëshirojë të transferohet në Itali, atëherë sytë do të hidhen nga sulmuesi tjetër i klubit anglez, Edin Xheko, i cili është në kërkim të një ekipi që i garanton vendin si titullar.
Ëndrra në sirtar e Galianit është të kthejë në klub Rikardo Kaka, në mënyrë që të kënaqë tifozerinë e cila nuk e ka harruar brazilianin që i ngjiti në majën e futbollit botëror. Por Real Madrid ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend ta japë futbollistin në huazim, por vetëm në formë blerje përfundimtare, duke i vënë çmimin e lartë 35 milionë euro. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 10 July 2012 13:20