Çelsi ka arritur të bëjë një tjetër goditje të rëndësishme në merkato duke siguruar për 25 milion paund yllin e ri brazilian, Oskar. Ndonëse ka shpenzuar deri tani 42 milion paund për Hazard dhe Marin, revolucioni i Roman Abramoviç vazhdon, duke e treguar këtë falë interesimit për yllin e Internacional që cilësohet si një nga talentet më premtues të viteve të fundit.
Për më tepër, blutë kanë mundur në garën për 20 vjeçarin ish-trajnerin Andre Vijas Boas, i cili kërkonte ta afronte atë te ekipi i tij i ri, Totenhem. Sipas mediave angleze, ai kishte ofruar 18 milion paund, por drejtuesit e Çelsit janë treguar më të shpejtë duke rritur ofertën në 25 milion paund dhe duke siguruar një “po” nga klubi latino-amerikan.
Oskar fitoi famë gjatë verës së kaluar kur u bë futbollisti i parë që shënonte tre gola në finalen e Kupës së Botës FIFA U-20, ku Brazili mundi 3-2 Portugalinë.
Sipas raportimeve nga media të ndryshme, lojtari po shihej me interes edhe nga Barcelona dhe Real Madrid, por asnjë nga këto skuadra nuk bëri ofertë për të gjatë verës.
Tifozët e Çelsit do të kenë mundësi të shohin nga afër cilësitë e këtij futbollisti që në Lojërat Olimpike, pasi ai është pjesë e kombëtares së Brazilit që do të kërkojë medaljen e artë në Londër 2012.
Ndërkohë, objektivi i radhës i skuadrës londineze është sigurimi i firmës së një tjetër sulmuesi brazilian, Hulk të Portos. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 10 July 2012 12:30