Françesko Toti ka bërë të qartë se një sezon tranzicioni nuk do t’u pëlqente shumë tifozëve dhe lojtarëve të Romës, të cilët duan të kthehen te fitoret dhe pa blerë lojtarë, një gjë e tillë duket e pamundur.
Kapiteni e ka konfirmuar këtë qëndrim që në intervistën e tij të parë në grumbullimin nën urdhrat e Zdenek Zeman.
“Një vit tranzicion? Nuk e di nëse tifozëve ua ka ënda të presin një vit, ashtu si edhe vetë ne. Për momentin jemi poshtë nivelit të Juves, Milan e Inter. Shpresoj që klubi të bëjë blerje të rëndësishme. Me emra të mëdhenj fitohet titulli kampion. Shpresoj që brenda gushtit të bëhen blerje të rëndësishme në mënyrë që të na krijohet mundësia për të qëndruar përkrah ekipeve ë mëdha”.
Lojtarit nuk i pëlqen ideja që në të ardhmen të luajë si një sulmues krahu, ndonëse ky është pozicioni që Zeman preferon për të.
“Ky pozicion nuk është përfundimtar, të shohim se çfarë do të vendosë trajneri. Sulmuesi i krahut është një pozicion i vështirë, pasi në atë rol kërkohen shumë diagonale në thellësi, por unë nuk karakteristika të tilla”, pranoi kapiteni i Romës.
Nuk mund të mungonte një gafë e zakonshme e “intelektualit” Toti, kur gjatë konferencës për shtyp u fol për homoseksualitetin. “E respektoj homofobinë (në fakt dëshironte të thoshte homoseksualitetin). I respektoj njerëzit që duan të bëjnë atë gjënë. Janë qenie njerëzore dhe duhen respektuar”. Normalisht edhe kjo batutë do të përfundojë në të gjitha librat e shakave për Totin. (LajmeShqip.com)
Monday, 09 July 2012 16:57