Dejan Saviçeviç, ish-futbollisti i famshëm i Milanit dhe aktualisht presidenti i Federatës Malazeze të Futbollit, ka “sponsorizuar” transferimin e Stevan Jovetiç të Juventusi.
“Me Vuçiniç formon një dyshe të fortë në kombëtare, ndaj do të isha dakord që edhe në klub ta bënin një gjë të tillë. Jovetiç mund të përshtatet si sulmues qendre, e ka bërë edhe më përpara, por nuk është kjo mënyra më e mirë për ta përdorur”.
“Në rreshtimin 4-4-1-1 të Malit të Zi, është Stevan që luan pas krahëve të Mirko. Mjafton që ai të jetë mirë fizikisht, pasi për pjesën tjetër ka treguar se është një lojtar i madh. Mjafton të shohësh çfarë ishte në gjendje të bënte në takimet kundër Liverpulit e Bajernit”, tregon Saviçeviç, i cili është i bindur se futbollisti i Fiorentinës ka më shumë cilësi se vetë ai.
“Ai është më i mirë se unë. Është transferuar në një kampionat të madh kur ishte vetëm 18 vjeç, ndërsa unë e bëra një gjë të tillë kur isha thuajse 26. Jovetiç ka avantazhin përsa i përket mundësisë së përmirësimit dhe mendoj se do të dijë ta shfrytëzojë në maksimum”.
“Jovetiç e di mirë vetë nëse duhet të largohet nga Firence apo jo, nuk do të doja të krijoja polemika. Por Juventusi luan në Ligën e Kampioneve dhe ka mundësinë për të luajtur për titullin. Në këtë moment , këto janë gjëra që Fiorentina nuk ia ofron”, ishte sugjerimi i Saviçeviç. (LajmeShqip.com)
Monday, 09 July 2012 13:20