Brazili nuk ka fituar asnjëherë medaljen e artë në Lojërat Olimpike por shpreson që në Londër 2012 të thyejë këtë tabu falë talentit të Neimar, që do të udhëheqë sulmin e kësaj kombëtareje. Futbollisti ka treguar përshtypjet e tij në një intervistë për fifa.com, ku ka zbuluar se është emocionuar se merr pjesë në një eveniment kaq madhështor.
“Duam të marrim arin olimpik, ky është objektivi ynë, por edhe do të argëtohemi në këtë aktivitet interesant të mbushur me yje. Nga njëra anë do të kem LeBron Xhejms, nga ana tjetër Usain Bolt. U kam thënë miqve të mi që do të bëj foto dhe do t’u kërkoj atyre autografe”, ka treguar me humor ylli brazilian.
Më pas, ai ka folur për shanset reale që ka Brazili për të marrë medaljen e artë. “Kemi gjithçka që nevojitet për t’u shpallur kampionë. Mendoj se Brazili është gjithmonë favorit, pavarësisht turneut ku merr pjesë. Kemi një ekip të mirë, me lojtarë që kanë potencial. Nuk jam unë lojtari më i mirë, të gjithë bashkë jemi të rëndësishëm njëlloj për Brazilin”.
Në fund ai ka folur edhe për Euro 2012, të cilin e ka cilësuar si një Botëror ku mungonin ekipet e Amerikës Latine.
“Standardi teknik ishte shumë i lartë, si një Botëror. Mendoj se aty mungonin vetëm skuadrat si Brazili e Argjentina. Spanjollët, me hapin që kanë, do ta dominojnë lojën, janë padyshim ekipi më i mirë. Kush ishin lojtarët e preferuar? Mua më pëlqen shumë Iniesta, mendoj se është një lojtar sensacional. Kristiano Ronaldo ishte shumë i mirë gjithashtu, ndërsa më pëlqeu edhe Ozil i Gjermanisë. Ai është një lojtar i madh dhe kam qenë gjithmonë një tifoz i tij”, zbuloi Neimar. (LajmeShqip.com)
Monday, 09 July 2012 11:40