Xhampaolo Pacini ka konfirmuar se nuk bën më pjesë në planet e Interit dhe se po kërkon një sistemim të ri për sezonin e ardhshëm. Sulmuesi që doli edhe nga përfaqësuesja italiane për shkak të sezonit të fundit zhgënjyes me zikaltërit, ka pranuar se tani e ardhmja e tij do të marrë një tjetër kthesë.
“Mendoj se klubi ka bërë disa zgjedhje dhe besoj se nuk do të bëj më pjesë në këtë projekt. Do të impenjohem që t’i ndryshoj mendjen ndokujt, por kjo është e vërteta që më duhet të pranoj”, tha ai.
“Nuk bëj pjesë në projekt pasi nuk dëshiron klubi, kam qenë gjithmonë i sinqertë dhe vazhdoj të jem edhe tani. Ndaj koret duhet t’ia drejtoni dikujt tjetër”, ishin fjalët e tij para tifozëve të Interit që i kërkonin në kor të qëndronte te zikaltërit.
Ndërkohë, një sulmues që e ka vendin të sigurt në radhët e zikaltërve, Diego Milito, ka përshëndetur futbollistët që po largohen nga kjo skuadër, duke filluar nga Hulio Cesar që është largimi i radhës.
“Si shok skuadre mund të them se më vjen keq që nuk e kemi me vete, pasi ne na ka dhënë gjithmonë shumë. Por ka situata në të cilat edhe një shok skuadre nuk mund të hyjë në mes”, ishte praktikisht mesazhi i lamtumirës për portierin brazilian. (LajmeShqip.com)
Monday, 09 July 2012 08:11