Trajneri i Çelsit, Roberto Di Mateo, ka deklaruar se Frenk Lampard do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në klubin londinez. 33 vjeçari e pa veten në hije gjatë sezonit të kaluar kur skuadra drejtohej nga Andre Vijas Boas, por me ardhjen e Di Mateos ai shkëlqeu përsëri dhe ishte vendimtar në fitoren e Ligës së Kampioneve.
“Frenk është një lojtar i mirë. Për sa kohë që nuk dëmtohet, ai mund të luajë për shumë vite. Ai ka patur një influencë të jashtëzakonshme në fundin e sezonit të kaluar me lojën e tij. Në një moshë të caktuar, kuptohet që do të ketë nevojë për më shumë kohë riaftësuese se të tjerët. Por nuk shoh asnjë arsye pse ai nuk duhet të vazhdojë. Është në dorën e klubit të vendosë se çfarë do të bëjë me Frenk, por jam i sigurt se sezonin e ardhshëm ai do të jetë me ne”.
Një tjetër temë e nxehtë është ajo e Xhon Territ, për të cilin trajneri italian ka folur fjalët më të mira dhe e ka konfirmuar si lider të skuadrës për sa kohë që ai do ishte në drejtimin e saj.
“Ai është kapiteni ynë, lideri ynë. Pres që të bëjë të njëjtën gjë edhe në sezonin e ardhshëm. Për sa kohë që nuk ka dëmtime madhore, ai mund të vazhdojë të luajë futboll shumë gjatë. Torres? Për momentin kam tre sulmues në skuadër dhe të gjithë duhet të luftojnë për vendin në formacion”, tregoi trajneri i Çelsit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 08 July 2012 14:10