Didier Deshamp duket se do të bëhet trajneri i ardhshëm i përfaqësueses franceze të futbollit, pasi mediat raportuan se ai kishte zhvilluar të shtunën bisedime me drejtuesit e Federatës në Paris. Lajmi më pas u konfirmua edhe nga vetë FFF që deklaroi se presidenti Noel Le Graet ishte ulur në tavolinë me ish-trajnerin e Olimpik Marsejës për të diskutuar detajet për zëvendësimin e Loran Blank, të larguar pak ditë më parë.
Deshamp, i cili ishte kapiten i Francës në triumfin e Botërorin 1998 dhe Euro 2000, shihej nga të gjithë si kandidati i preferuar për zëvendësuar Blank, ndërsa u largua nga drejtimi i Olimpik Marsejës javën e kaluar. Ai i kishte siguruar këtij klubi një titull kampion dhe 3 Kupa Lige radhazi në po aq sezone në drejtimin e skuadrës. Trajneri ka drejtuar më parë Juventusin që e ka ngjitur nga Seria B në Serinë A pas vitit të “Calciopoli”, si dhe Monakon që arrti ta çojë deri në finalen e Ligës së Kampioneve.
Franca ka planifikuar një ndeshje miqësore me Uruguain me 15 gusht por që në këtë takim mund të mungojnë disa emra të rëndësishëm, pasi FFF ka hapur hetim kundër 4 lojtarëve për sjelljet e tyre gjatë Euro 2012.
Samir Nasri po hetohet për ofendimet që ka bërë ndaj gazetarëve pas humbjes me Spanjën, ndërsa Hatem Ben Arfa po hetohet pasi është zënë me shokët e skuadrës pas humbjes 2-0 kundër Suedisë. Zheremi Menez me sa duket i ka drejtuar gjeste të pakëndshme portierit dhe njëkohësisht kapitenit Hugo Loris, ndërsa Jan M’Vila ka reaguar ndaj trajnerit Blank kur ky i fundit e zëvendësoi në ndeshjen me Spanjën. (LajmeShqip.com)
Sunday, 08 July 2012 09:20