Drejtuesit e kombëtares amerikane të basketbollit më në fund kanë bërë publik 12 emrat e lojtarëve që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Londër 2012 me “Skuadrën e Ëndrrave”, që është favorite për të fituar medaljen e artë ashtu si katër vite më parë.
Yjet si LeBron Xhejms, Kobi Brajant apo Kevin Durant kanë përkrah tyre lojtarë të cilët mund të luajnë në shumë pozicione, gjë që i bën ata edhe më të pakontrollueshëm nga mbrojtjet kundërshtare.
“Ka shumë dinamika brenda formacionit tonë, me shumë nga basketbollistët që janë mësuar të luajnë në pozicione të ndryshme në fushë gjatë një sezoni. Durant mund të luajë pozicionet nga 2 te 5, unë mund të luaj nga 1 te 5 nëse është e nevojshme, Iguodala mund ta bëjë të njëjtën gjë, ashtu si edhe Karmelo Entoni. Është e sigurt që do të kënaqemi”, ishin fjalët e LeBron Xhejms pas publikimi të listës përfundimtare.
Iguodala dhe Harden ishin dy emrat e fundit që iu bashkuan listës së kombëtares amerikane të basketbollit, pasi kishte vende që mbetën bosh për shkak të tërheqjes për dëmtime të emrave si Derrik Rouz, Duajt Hauard, Duejn Uejd dhe Kris Bosh. Harden i bashkohet shokëve të skuadrës te Oklahoma, Kevin Durant dhe Rasëll Uestbruk, duke bërë që për herë të parë që një ekip i NBA të përfaqësohet me 3 basketbollistë në kombëtaren olimpike amerikane. (LajmeShqip.com)
Lista e kombëtares amerikane të basketbollit
LeBron Xhejms (Majemi), Andre Iguodala (Filadelfia), Xhejms Harden, Kevin Durant, Rasëll Uestbruk (Oklahoma), Karmelo Entoni, Tajson Çendler (Nju Jork), Kobi Brajant (LA Leikërs), Bleik Grifin, Kris Pol (LA Klipërs), Deron Uilliams (Nju Xhersi), Kevin Lëv (Minesota).
Sunday, 08 July 2012 08:40