Andrea Stramaçioni ka treguar se nuk do të shohë askënd në fytyrë dhe do të punojë duke patur në mend vetëm të mirën e Interit, ndonëse kjo do të thotë të bëhen sakrifica të rëndësishme edhe në kontingjentin e lojtarëve.
Ai ka pranuar se tashmë askush nuk është i paprekshëm dhe i pashitshëm, ndonëse një lojtar si Shnajder e cilëson të rëndësishëm për skemat e ekipit.
“Ky është një moment i vështirë për futbollin në përgjithësi. Si asnjëherë më parë, në Evropë këtë vit janë mbyllur shumë pak transferime për shkak të krizës financiare. Shnajder i pashitshëm? Nga ana tekniko-taktike është thelbësor, por nuk mund të them se është i pashitshëm. Ky do të ishte abuzim me pushtetin. Unë mundem vetëm t’i them presidentit të mendohet mirë nëse i vjen një ofertë e rëndësishme”, deklaroi trajneri i Interit duke bërë të qartë se zikaltërit janë të gatshëm të negociojnë me këdo që kërkon holandezin.
Një tjetër emër që ka krijuar shqetësim në radhët e Interit është ai i portierit Hulio Cesar, pasi zikaltërit kanë marrë që tani sllovenin Samir Handanoviç, ndërsa duket se kërkojnë të largojnë brazilianin.
“Interi ka të drejtën të bëjë zgjedhjet që i cilëson më të mirat. Unë nuk kam asnjë problem me Hulio Cesar, vlera e tij nuk vihet në diskutim, pasi ai është mes portierëve më të mirë në botë”, deklaroi Stramaçioni pas stërvitjes së parë me zikaltërit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 07 July 2012 19:50